VKM 4/2026 — Kalimi i Truallit Shtetëror në Pronësi

Kalimi i truallit shtetëror në pronësi rregullohet me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 4, datë 15.01.2026, i cili miratoi procedurat e hollësishme dhe modelin e aktit të kalimit. Aplikimi kryhet online në portalin e-Albania. ASHK-ja ka afat 60 ditë nga depozitimi i kërkesës për të kryer procedurat administrative.

Kë prek kalimi i truallit shtetëror

Kryesisht subjektet që kanë blerë ndërtesa të privatizuara nga ish-ndërmarrjet shtetërore, por ku trualli nën objekt ka mbetur në pronësi të shtetit. Është situatë e trashëguar nga procesi i privatizimeve dhe prek një numër të konsiderueshëm objektesh në të gjithë vendin.

Pasoja praktike e kësaj gjendjeje është e njohur: objekti nuk mund të hipotekohet plotësisht, shitja komplikohet, dhe çdo zhvillim i mëtejshëm i pronës ngec.

Çfarë bën ASHK-ja brenda 60 ditëve

Vendimi përcakton tri veprime konkrete brenda afatit:

•      Verifikimin e dokumentacionit — atij arkivor që administron institucioni dhe atij të dorëzuar nga subjekti.

•      Verifikimin e gjendjes juridike — nëse trualli për të cilin kërkohet kalimi është vërtet shtetëror.

•      Analizimin e planit të rilevimit në terren — pas verifikimit të gjendjes faktike, sipas modelit të miratuar bashkë me vendimin.

Pika e tretë është ajo ku hyn topografi. Akti i evidentimit kërkon matje të sakta të ndërtesës dhe të truallit përreth saj.

Si përcaktohet sipërfaqja që kalon në pronësi

Sipërfaqja nuk përcaktohet kryesisht nga zyra e ASHK-së. Ajo bazohet mbi planin e rilevimit dhe dokumentacionin e praktikës së privatizimit të regjistruar në regjistrin kadastral, ose mbi dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti për regjistrimin e ndërtesës, si dhe mbi dokumentacionin.

Në praktikë kjo do të thotë: nëse dokumentacioni juaj i vjetër nuk përputhet me gjendjen faktike, procedura ngec. Dhe në shumicën e rasteve që kemi parë, nuk përputhet — sepse ndërtesat kanë pësuar shtesa, oborri është rrethuar ndryshe, ose harta e vjetër është hartuar me metoda që sot nuk qëndrojnë. Prandaj sugjerohet gjithmonë që të angazhoni një topograf të licensuar për të bërë matjet në terren.

Çfarë duhet përgatitur para aplikimit

Dokumentacioni i privatizimit, dokumentacioni i regjistrimit të ndërtesës, dhe një plan rilevimi i gjendjes aktuale që e krahason terrenin me atë çfarë thonë letrat.

Nëse diferencat janë të mëdha, është më mirë t'i dini përpara se të aplikoni sesa t'i mësoni pas gjashtëdhjetë ditësh — sepse rifillimi i procedurës kushton më shumë kohë sesa verifikimi paraprak.

Pyetje të shpeshta

Ku aplikohet për kalimin e truallit shtetëror?

Online, përmes portalit e-Albania.

Sa zgjat procedura?

ASHK-ja ka afat 60 ditë për procedurat administrative nga momenti i depozitimit të kërkesës.

A më duhet topograf?

Për matjen në terren dhe për verifikimin e sipërfaqes, po. Nëse dokumentacioni juaj i vjetër është i qartë dhe përputhet me terrenin, procedura është më e thjeshtë.

Çfarë ndodh nëse sipërfaqja faktike ndryshon nga ajo e dokumentuar?

Diferenca duhet dokumentuar dhe shpjeguar. Ky është pikërisht rasti ku një rilevim paraprak ju kursen një refuzim.

Previous
Previous

Procesi I Legalizimit 2026 — Afati 2028, Procedura dhe Kostot

Next
Next

Mbivendosja Kadastrale — Pse 80% e Hartave Kanë Probleme dhe Si Zgjidhet