Mbivendosja Kadastrale — Pse 80% e Hartave Kanë Probleme dhe Si Zgjidhet

Mbivendosja kadastrale ndodh kur dy prona figurojnë mbi të njëjtën sipërfaqe në regjistrin kadastral, ose kur kufijtë e regjistruar nuk përputhen me ata faktikë. ASHK-ja ka pranuar se mbi 80% e territorit të Shqipërisë ka problematika me hartat kadastrale. Zgjidhja nis me matje dhe dokumentim të diferencës.

Nga vjen mbivendosja kadastrale

Hartat kadastrale shqiptare janë hartuar në periudha të ndryshme, me metoda të ndryshme dhe me nivele të ndryshme saktësie. Disa vijnë nga regjistrimi fillestar i viteve nëntëdhjetë, të tjera nga rilevime të mëparshme, të tjera nga dokumente edhe më të vjetra.

Diferencat mes hartimeve të vjetra dhe matjeve faktike në terren shkaktojnë mbivendosjen e kufirit të pronës - kufijtë e dy pronave fqinje mbulojnë të njëjtën sipërfaqe, ose sipërfaqja e regjistruar nuk përkon me atë që matet realisht.

Është e rëndësishme ta kuptoni këtë: në shumicën e rasteve nuk keni faj as ju, as fqinji, as topografi që e mati pronën para njëzet vjetësh. Është trashëgimi e sistemit.

Ku ndodhet dixhitalizimi i hartave kadastrale

ASHK-ja ka njoftuar se në dhjetor 2025 përfundoi dixhitalizimin e dokumentacionit tekniko-ligjor — rreth 54 milionë fletë — si dhe digjitalizimin e 4.3 milionë kartelave. Puna për dixhitalizimin e hartave vijon në bashkëpunim me UNOPS, me parashikim përfundimi brenda dhjetorit 2026.

Dixhitalizimi e bën problemin të dukshëm dhe të menaxhueshëm. Nuk i zhduk mbivendosjet ekzistuese — ato zgjidhen rast pas rasti.

Si zgjidhet një mbivendosje kadastrale

Nuk ka zgjidhje automatike, por ka rrugë të përcaktuara:

Hapi i parë — dokumentimi. Matja e gjendjes faktike dhe mbivendosja e saj mbi hartën treguese dhe ortofoton zyrtare tregon saktësisht ku dhe sa është diferenca. Pa këtë hap, çdo procedurë që ju do të nisni has vështirësi në realizimin e saj.

Hapi i dytë — identifikimi i problemit. Nëse është gabim teknik i regjistrimit, ndiqet procedura e korrigjimit pranë ASHK-së. Nëse janë dy pronarë që pretendojnë të njëjtën sipërfaqe, duhet marrëveshje mes tyre — zakonisht me deklaratë noteriale të kufitarëve.

Hapi i tretë — rruga gjyqësore. Kur marrëveshja nuk arrihet, çështja shkon në gjykatë dhe kërkon ekspertizë topografike që qëndron nën shqyrtim teknik.

Sa kohë zgjat

Matja dhe dokumentimi: 60 - 90 ditë. Korrigjimi administrativ pranë ASHK-së: sipas afateve institucionale. Rruga gjyqësore: muaj deri në vite. Kjo është arsyeja pse dokumentimi i hershëm ka vlerë — sa më herët të dihet problemi, aq më shumë opsione mbeten të hapura.

Pyetje të shpeshta

Sipërfaqja në certifikatë është më e madhe se ajo reale. Humbas metra?

Jo domosdoshmërisht. Së pari duhet përcaktuar nëse gabimi është në matjen e vjetër apo në kufijtë faktikë. Këto janë dy situata krejt të ndryshme, me zgjidhje të ndryshme.

Fqinji thotë se kufiri është më andej. Kush ka të drejtë?

Përgjigjen e jep dokumentacioni, jo kujtesa. Matja dhe krahasimi me bazën kadastrale tregon çfarë thonë letrat; nëse letrat janë kontradiktore, çështja bëhet ligjore.

A pritet të rregullohet vetë me dixhitalizimin?

Jo. Dixhitalizimi e bën problemin të dukshëm, por mbivendosjet ekzistuese zgjidhen rast pas rasti.

Sa kushton dokumentimi i një mbivendosjeje?

Kostoja është ajo e një plani rilevimi me krahasim kadastral. Krahasuar me vlerën e sipërfaqes në diskutim, është zakonisht e papërfillshme.

Previous
Previous

VKM 4/2026 — Kalimi i Truallit Shtetëror në Pronësi